Mjetet e sigurimit të detyrimeve kontraktore janë instrumente juridike të parashikuara nga Kodi Civil dhe Kodi i Procedurës Civile, të cilat kanë për qëllim garantimin e përmbushjes së detyrimeve. Në kuptimin e KC, këto mjete përfshijnë ndër të tjera kushtin penal, dorëzaninë, pengun, hipotekën, si dhe mjetet procedurale ekzekutive që burojnë nga titujt ekzekutivë të njohur nga neni 510 i KPC.
Vendimet e Gjykatës së Lartë të analizuara më poshtë trajtojnë disa nga këto mjete, duke thelluar interpretimin e tyre për sa i përket natyrës juridike, kufijve kohorë të zbatimit dhe efektit mbi ekzekutimin e detyrueshëm të detyrimeve. Ato tregojnë një prirje drejt krijimit të praktikës gjyqësore të njësuar në çështjet që lidhen me detyrimet monetare, kamatat dhe afatet e parashkrimit, forcimit të sigurisë juridike në zbatimin e titujve ekzekutivë dhe masave përmbarimore, si dhe përcaktimit të qartë të natyrës së detyrimeve midis penaliteteve, kompensimeve dhe kamatave.
Kolegji Civil ka theksuar vazhdimisht se qëllimi i mjeteve të sigurimit kontraktor është parandalimi i mospërmbushjes dhe garantimi i interesit të kreditorit, jo ndëshkimi i debitorit. Në këtë kuadër, në praktikën e viteve të fundit, është konsoliduar qëndrimi se kushti penal përbën një detyrim i shtuar ndaj detyrimit kryesor dhe nuk mund të reduktohet automatikisht, përveç rasteve kur është në disproporcion të dukshëm me dëmin real ose kur synon fitim të pajustifikuar. Gjykata ka bërë dallimin midis penalitetit për vonesë dhe kushtit penal për mosekzekutim (si kompensim paraprak), duke theksuar se të dyja janë të lejueshme në të njëjtën kontratë nëse janë të justifikuara.
Për sa i përket dorëzanisë dhe titullit ekzekutiv si mjet sigurimi KCGJL ka njësuar standardin për mjetin procedural nëpërmjet të cilit dorëzanësi mund të kërkojë shuarjen e dorëzanisë kur ajo përfshihet në një titull ekzekutiv duke barazuar detyrimet e dorëzanësit me ato të debitorit vetëm në fazën kur detyrimi bëhet i kërkueshëm. Kjo krijon përgjegjësi të njëkohshme ndaj kreditorit, duke garantuar realisht ekzekutimin e detyrimit kryesor. Saktësimi i raportit ndërmjet dorëzanisë si titull ekzekutiv dhe afatit të ekzekutimit të detyrimit forcon interpretimin e vendimit njesues të vitit 2023, duke lidhur dorëzaninë me mjetet e ekzekutimit dhe afatet procedurale të parashkrimit.
Në disa vendime është theksuar se për të kërkuar dëmshpërblim për mospërmbushje, kreditori duhet të provojë ekzistencën e dëmit real dhe lidhjen shkakësore me veprimin ose mosveprimin e debitorit. Megjithatë, kur ekziston kusht penal i parashikuar, dëmi konsiderohet i paracaktuar dhe provimi i tij nuk është i nevojshëm. Kur kontrata nuk përcakton normën e kamatës, zbatohet kamatëvonesa ligjore sipas nenit 481 të KC, duke filluar nga dita kur vendimi merr formë të prerë. Kështu standardizohet mënyra e llogaritjes së kamatave dhe përcakton momentin fillestar të tyre në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Po ashtu edhe efektet e pezullimit të ekzekutimit të veprimeve përmbarimore, nuk shuajnë detyrimin themelor dhe as përgjegjësinë për vonesë. Kjo ka rëndësi të drejtpërdrejtë për zyrat përmbarimore dhe palët ekzekutuese, duke përcaktuar qartë vijimësinë e kamatave gjatë gjithë periudhës së pezullimit. Kushti pezullues si marrëdhënie që nuk prodhon efekte të menjëhershme deri në përmbushjen e kushtit. Kontratat me kusht nuk përbëjnë mjet sigurimi të plotë, por një fazë paraprake që garanton vullnetin për të përmbushur detyrimet në të ardhmen, duke u bërë efektive vetëm në rastin e realizimit të kushtit.
Maksima - Në kontratën e qirasë, kushti penal gjobor për mosekzekutim të detyrimit i parashikuar me marrëveshje të palëve, përbën një detyrim që i shtohet detyrimit kryesor. Afati i parashkrimit për kushtin penal gjobor është ai 10 vjeçar në ndryshim me kushtin penal vlerësues, afati i të cilit është 6 mujor.
Fjalë kyçe - kusht penal gjobor, kontrata e qirasë, afat parashkrimi.
Përmbledhja e vendimit – Në këtë çështje padia ka si objekt shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga vonesa, sipas kushtit penal të përcaktuar në kontratë, si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve në kohë. Pala paditëse në kërkesëpadinë e saj është e paqartë lidhur me atë çfarë kërkon, duke përdorur termin “kamatëvonesa”, term që përdoret dhe për kamatat ligjore (të arrira) duke referuar në kërkesëpadi dhe në nenet 450 e vijues të KC, 608 e vijues, që parashikon dëmin jashtëkontraktor. Nga analizimi i provave del se synimi i palëve në momentin e lidhjes së kontratës ka qenë pikërisht, parashikimi i një klauzole kontraktore (kushti penal gjobor), i cili do të disiplinonte palët për të përmbushur detyrimet e tyre kontraktore. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka vendosur rrëzimin e kërkesëpadisë dhe Gjykata e Apelit Korçë e ka lënë në fuqi këtë vendim. KCGJL vlerësoi se vendimi i gjykatës së apelit është i bazuar në ligj dhe duhet të lihet në fuqi, por me tjetër arsyetim. Qëllimi i parashikimit te kushtit penal ka qenë pikërisht nxitja e palëve për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kontrata. Për rrjedhojë ky kusht nuk i nënshtrohet afatit të parashkrimit të nenit 115/a të KC, institut që vepron për kushin penal vlerësues. Afati i parashkrimit për kushtin penal gjobor, përderisa nuk është i përcaktuar rregullisht në ligj, është ai 10 vjeçar sipas nenit 114 të KPC.
Maksima - Për aktet që janë tituj ekzekutivë mjeti procedural me të cilin dorëzanësi mund të kërkojë shuarjen e dorëzanisë është padia për pavlefshmërinë e këtij titulli. Cilësia e debitorit dhe dorëzanësit barazohet në momentin që detyrimi bëhet i kërkueshëm dhe vetëm për pjesën e detyrimit, radhën e ekzekutimit dhe ndarjen e detyrimit mes disa dorëzanësve ashtu si palët kanë përcaktuar në kontratën e dorëzanisë.
Fjalë kyçe - dorëzania, shuarja e dorëzanisë, titull ekzekutiv, urdhër ekzekutimi, padi, debitor, kreditor, mjet procedural, afat parashkrimi, afat prekluziv.
Përmbledhja e vendimit - KCGJL vlerëson se për aktet që përmbajnë detyrime në të holla dhe që sipas nenit 510 të KPC janë tituj ekzekutivë, kërkesa e kreditorit për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit është e barazvlefshme, përsa i përket efekteve juridike që sjell, me padinë e ngritur sipas nenit 600 të KC. Për aktet që janë tituj ekzekutivë mjeti procedural me të cilin dorëzanësi mund të kërkojë shuarjen e dorëzanisë është padia për pavlefshmërinë e këtij titulli. Afati 6 mujor i përcaktuar në nenin 600 të KC është një afat parashkrimi dhe jo prekluziv. Kontrata e dorëzanisë fillon të japë efektet e parashikuara në ligj që në momentin e lidhjes së saj dhe cilësia e debitorit dhe dorëzanësit barazohet në momentin që detyrimi bëhet i kërkueshëm. Në këtë moment, si rregull, kreditori mund t’i drejtohet si debitorit ashtu edhe dorëzanësit. Cilësia e dorëzanësit me atë të debitorit barazohen vetëm për pjesën e detyrimit, radhën e ekzekutimit dhe ndarjen e detyrimit mes disa dorëzanësve bëhet ashtu si palët mund të kenë përcaktuar në kontratën e dorëzanisë.
Maksima - Pasuria e vendosur në hipotekë nga i treti, si mjet për të siguruar përmbushjen e detyrimit ndaj kreditorit, nuk përjashton detyrimin e debitorit për të shlyer debinë me pasurinë e tij, pasi personi i detyruar përballë kreditorit është debitori dhe jo person i tretë hipotekues.
Fjalë kyçe - shlyerje detyrimi, tjetërsim pasurie, e drejta e regresit ndaj debitorit, vënie në hipotekë, padia pauliana.
Përmbledhja e vendimit - Paditësi kërkon pavlefshmërinë e kontratës së dhurimit të realizuar nga dhuruesi për llogari të përfituesit, pasi ky veprim ka synuar të pakësojë pasurinë e debitorëve. Sipas paditësit këta debitorë nuk e kanë ekzekutuar detyrimin e marrë përsipër prej tyre ndaj kreditorit (bankës) sipas kontratës së kredisë bankare, duke u detyruar paditësi që të paguajë detyrimin e tyre (disa këste kredie), në mënyrë që të shmangte ekzekutimin mbi pronën e tij, “apartament banimi” të vendosur si hipotekë për të garantuar shlyerjen e detyrimit nga debitorët Gjykata e Apelit ka vlerësuar se paditësi si hipotekues nuk legjitimohet të kërkojë pavlefshmërinë e kontratës së dhurimit të pasurisë së debitorëve, pasi ai nuk ka pozitën e kreditorit dhe as mund të zërë pozitën e këtij të fundit ndaj debitorëve në rast të shlyerjes së detyrimit të debitorëve me pasurinë e tij. Ndërkohë gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar të kundërtën, pra që paditësi hipotekues ka të drejtë të ngrejë padinë pasi zë vendin e kreditorit ndaj debitorëve për pjesën e detyrimit të shlyer me sendin pronë e tij. KCGJL shprehet se personi hipotekues që shlyen detyrimin për llogari të debitorit me sendin e tij, si rezultat i një procedurë të detyrueshme ekzekutimi, ose për të mbrojtur sendin e tij nga shitja, fiton të drejtën e kreditorit përballë debitorit. Hipotekuesi e shlyen detyrimin vetëm me pasurinë e vendosur si garanci. Për rrjedhojë, personi i tretë hipotekues gëzon të drejtën e regresit ndaj debitorit dhe ka të drejtë që të kundërshtojë veprimet tjetërsuese në pakësim të pasurisë së tij.
Maksima- Dallimi midis vonesës së debitorit dhe përdorimit të kushtit penal si instrument sigurimi qëndron ne faktin se kushti penal ruan karakterin e tij të pavarur nga detyrimi kryesor dhe përbën një garanci kontraktore që forcon ekzekutueshmërinë e kontratës. Ai ka funksion parandalues dhe njëkohësisht kompensues.
Fjalë kyçe - kontratë sipërmarrje, dëmshpërblim për mosrealizim kontraktor, sipërfaqe banimi, penalitet për vonesë, kusht penal.
Përmbledhja e vendimit – Në këtë çështje palët ndërgjyqëse kanë nënshkruar kontratat në të cilat pala paditëse e kundërpaditur është në cilësinë e porositëses (bashkëpronare trualli) dhe pala e paditur kundërpaditëse shoqëri ndërtuese, në cilësinë e sipërmarrësit. Rezulton se marrëdhënia jurdike e lidhur mes ndërgjyqësave përbën një kontratë atipike, për të cilën nuk ka një parashikim të veçantë. Ky veprim juridik i dyanshëm ka njëherazi elemente të kontratës së sipërmarrjes dhe të kontratës së shkëmbimit. Nga shkaqet e ngritura në rekurs nga pala paditëse e kundërpaditur është e nevojshme të përcaktohet natyra juridike e kontratave mes palëve, duke mos u ndalur në emërtimin që ata i kanë dhënë këtyre veprimeve. Gjykatat e faktit kanë zbatuar gabim ligjin material, pasi nuk kanë dalluar midis vonesës së debitorit dhe përdorimit të kushtit penal si instrument sigurimi. KCGJL vlerëson se marrëdhënia juridike e krijuar që materializohet në momentin e realizimit të sendit objekt i kontratës së sipërmarrjes, do të konsiderohet e përfunduar me nënshkrimin e kontratës së shkëmbimit në një kohë të dytë, pasi efektivisht trualli për realizimin e ndërtimit i është dorëzuar palës sipërmarrëse nga ana e pronarit të truallit, që në momentin fillestar, përpara marrjes së lejes së ndërtimit. Kolegji vlerëson se përfundimet e arritura nga gjykata në lidhje me përmbushjen e detyrimeve nga ana e sipërmarrësit, janë rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit material në lidhje me interpretimin e kontratës sipas qëllimit të vërtetë dhe të përbashkët të palëve, kuptimit të vonesës së debitorit si dhe natyrës së kushtit penal, si mjet që siguron ekzekutimin e detyrimit në mënyrën e duhur.
Maksima- Mosekzekutimi në afat të detyrimit nga pala debitore për kthimin e huasë e përjashton atë nga pagimi i interesit mbi shumën siç parashikohet në kontratë, ndërsa përgjegjësia si huamarrës për shlyerjen e kamatës nuk mund të përjashtohet apriori.
Fjalë kyçe - interes, kamatëvonesë, hua pa interes.
Përmbledhja e vendimit - Në këtë çështje rezulton se me kontratën e huasë, paditësi në cilësinë e huadhënësit, i ka dhënë hua të paditurit një sasi vlere monetare pa interes, për ta kthyer brenda një afati të caktuar. Duke qenë se i padituri nuk ka përmbushur në afat detyrimin, paditësi ka kërkuar kamatëvonesat. Gjykatat e faktit kanë konkluduar në rrëzimin e padisë me arsyetimin që vetë palët kanë pranuar që vlera e dhënë hua do të ishte pa interes (kamatë), duke iu referuar nenit 1051 të KC. Në referim të arsyetimit të vendimeve të gjykatatve të faktit, KCGJL vlerëson se ato nuk e kanë kuptuar drejt natyrën e konfliktit midis palëve ndërgjyqëse dhe si rrjedhojë nuk kanë zbatuar drejt ligjin material. Gjykatat kanë konfonduar konceptin “hua me interes” me “kamatat ligjore”. Ajo çfarë konstatohet nga interpretimi i kontratës, por dhe nga qëndrimi i palëve dhe prapësimet e tyre në proces është se vlera e dhënë hua jepet për një afat të caktuar dhe nëse huamarrësi do ta shlyente brenda këtij afati, ai përjashtohej nga interesi mbi këtë shumë, pra huaja me interes lidhet me shumën e dhënë hua, pavarësisht sjelljes apo vonesës së debitorit, ndërsa kamata ligjore lidhet me mospërmbushjen në afat të detyrimit. Në rastin në shqyrtim palët kanë përjashtuar vetëm interesin mbi shumën e huasë, duke sjellë si rrjedhojë cilësimin e kontratës së huasë, si “hua pa interes”, cilësim që në kushtet e mungesës së klauzolave specifike kontraktuale, nuk mund të përjashtojë apriori përgjegjësinë për kamatat apo dhe dëmin e shkaktuar kreditorit në rast mospërmbushje të detyrimit në afat.
Maksima - Pezullimi i ekzekutimit të vendimit nga Gjykata e Lartë nuk sjell shuarjen e të drejtës së kreditorit për t’i kërkuar kamatëvonesat për periudhën para dhe pas dhënies së vendimit të pezullimit ose pas revokimit të këtij vendimi.
Fjalë kyçe - kamatëvonesë, ekzekutim me vonesë, debitor, vendim i formës së prerë, vendim pezullimi, kreditor
Përmbledhja e vendimit – Mosmarrëveshja ka lidhje me kërkimin e pagimit të kamatave për shkak të shlyerjes me vonesë të detyrimit, konkretisht të një vendimi gjyqësor të formës së prerë, me të cilin është njohur detyrimi për pagimin një shume të hollash. Ka rezultuar se, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka pranuar pjesërisht padinë objekt gjykimi, duke e konsideruar në vonesë palën debitore në shlyerjen e vendimit, ndërsa Gjykata e Apelit Gjirokastër ka mbajtur qëndrim të ndryshëm, me arsyetimin se me dhënien e vendimit të pezullimit të Gjykatës së Lartë, palës debitore i është pezulluar edhe ecja e kamatëvonesave. Për pagimin e kamatave për ekzekutimin me vonesë, KCGJL shprehet se debitori konsiderohet në vonesë për ekzekutimin e detyrimit nga data e marrjes formë të prerë të vendimit. Pezullimi i ekzekutimit të vendimit nga Gjykata e Lartë sipas nenit 479 të KPC nuk sjell shuarjen e të drejtës së kreditorit për t’i kërkuar kamatëvonesat për periudhën para dhe pas dhënies së vendimit të pezullimit ose pas revokimit të këtij vendimi, përderisa vonesa e debitorit për shlyerjen e detyrimit ka filluar para se të jetë pezulluar ekzekutimi i vendimit. Një vendim pezullimi në favor të palës debitore nuk mund të rëndojë të drejtat e palës kreditore jo vetëm për ekzekutimin e detyrimit, por edhe të çdo dëmi që rrjedh nga mospërmbushja e tij në kohë.
Maksima - Pagesa e detyrimit tarifor për periudhën e mbetur, kur pajtimtari përfundon kontratën para afatit te caktuar, përbën një kompensim të detyrimit të tij për të respektuar afatin kontraktor dhe jo kusht penal.
Fjalë kyçe - kontratë shërbimi, tërheqje para afatit, detyrim kompensues, kusht penal.
Përmbledhja e vendimit – Nga shqyrtimi i çështjes ka rezultuar se ndërmjet paditësit shoqëri aksionere e telefonisë së lëvizshme dhe të paditurit shoqëri tregtare është lidhur një kontratë për shërbimin telefonik celular kundrejt pagesës për 127 numra në bazë të së cilës rezulton se i padituri ka patur detyrimin e kryerjes së pagesës së shërbimeve të ofruara për çdo muaj. Nëse pala e paditur ndërpriste kontratën para afatit 1 vjeçar do të paguante të gjitha detyrimet tarifore për 12 muaj. Pavarësisht marrjes përsipër të këtij detyrimi me nënshkrimin e kontratës së pajtimit, i padituri nuk ka likujduar shumën sipas detyrimit përkatës të mbartur dhe të riprintuar në faturën e muajit pasardhës. Pala paditëse veç shumës së detyrimit të faturuar ka kërkuar pagimin e detyrimit për pagesat tarifore për ofertën specifike, mujore të pajtimtarit për periudhën e mbetur për shkak të zgjidhjes së parakohshme të kontratës për faj të të paditurit. KCGJL vëren se instituti i tërheqjes nga kontrata vullnetarisht nga njëra palë i sjell efektet për përfundimin e kontratës kur kompensimi i përcaktuar në kontratë është paguar nga pala që bën tërheqjen, në të kundërt kontrata vazhdon. Pagesa e detyrimit tarifor për periudhën e mbetur, kur pajtimtari përfundon kontratën para kalimit të 12 muajve, përbën një kompensim të detyrimit të tij për të respektuar afatin kontraktor. Për rrjedhojë ajo nuk përbën një kusht penal, pasi nuk është vendosur për të nxitur vazhdimin e kontratës midis palëve dhe as për të shpërblyer dëmin e pësuar nga pala e dëmtuar, por është një detyrim kompensues që zëvendëson detyrimin e vazhdimit të kontratës.
Maksima - Mospërmbushja e detyrimit nga debitori i jep tё drejtë kreditorit që tё kёrkojё vёnien nё ekzekutim tё detyrueshёm të titullit me urdhër ekzekutimit, i cili duhet të përmbajë masën konkrete të detyrimit deri në momentin e lëshimit.
Fjalë kyçe - pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, urdhër ekzekutimi, titull ekzekutiv, kundërshtim i veprimeve përmbarimore, kontratë kredie bankare.
Përmbledhja e vendimit – Referuar rrethanave të faktit, paditësit kanë marrë një kredi pranë bankës, e cila përbën titull ekzekutiv në referim të nenit 510/d të KPC për të cilën është lëshuar urdhri i ekzekutimit të Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Elbasan. Nga pala e paditur Zyra Përmbarimore Private janë kryer veprimet përmbarimore si njoftim për lajmërim ekzekutimi vullnetar dhe vendimi për fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm dhe më pas vazhdimin e veprimeve përmbarimore që janë ndërprerë për shkak se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur pezullim të veprimeve të ekzekutimit deri në përfundim të gjykimit. KCGJL konstatoi se pala paditëse në përmbajtjen fillestare të kërkesëpadisë, i është referuar disa prej veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, duke i kundërshtuar ato në tërësi, pa identifikuar veprimin konkret dhe shkakun për të cilin e kundërshton atë. Në vijim pala paditëse ka paraqitur kërkesën për shtimin e objektit të padisë edhe me kërkimin për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. KCGJL shprehet se pavlefshmëria e titullit ekzekutiv qëndron në mospërputhjen ndërmjet realitetit që përfaqëson titulli ekzekutiv, me realitetin që ekziston efektivisht. Për llogaritjen e kamatëvonesave në vijim të lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, KCGJL çmon se mospërmbushja e detyrimit nga debitori i jep tё drejtë kreditorit që tё kёrkojё vёnien nё ekzekutim tё detyrueshёm të titullit, për të cilin është lëshuar urdhri i ekzekutimit. Edhe sikur të pranohej se kontrata midis palëve nuk zgjidhet, por vijon edhe pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, ky urdhër i referohet përmbajtjes së titullit ekzekutiv në momentin e lëshimit dhe nuk mund të shtrijë efektet e tij në vijueshmëri për detyrimet e tjera që eventualisht do të rridhnin nga kontrata/titulli ekzekutiv, përfshi këtu kamatëvonesat. Kolegji çmon se duhet disponuar për prishjen e pjesshme të vendimit të gjykatës së apelit, vetëm për sa i përket disponimit në raport me kërkimin për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, ndërsa për pjesën tjetër që lidhet me kërkimin për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore ky vendim duhet të lihet në fuqi.
Maksima - Përqindja e kamatave të arrira ose kamatëvonesave parashikohet në ligj dhe kjo masë zbatohet në çdo rast kur palët nuk kanë përcaktuar në kontratë vlerën e kamatëvonesës. Kamatat ligjore duhen përllogaritur nga dita e marrjes së vendimit formë të prerë.
Fjalë kyçe - kontratë shërbimi, kamata ligjore, vonesa e debitorit, kamatëvonesa, vlefshmëria e kontratës.
Përmbledhja e vendimit - Paditësve nëpërmjet veprimit juridik kontratë shitblerje, veprim i cili është pjesërisht absolutisht i pavlefshëm, u është cenuar interesi i ligjshëm të cilin kërkojnë ta realizojnë dhe zgjidhjen e pasojave kthimin e shumës përfituar pa të drejtë si dhe fitimin e munguar. Paditësit në kuadër të parimit të ristituimit të së drejtës, u ka lindur e drejta të kërkojnë nga i padituri t’u kthejë vlerën monetare të pjesës së sendit prej 61.4 m2, pasi provuan që kjo pjesë ka kaluar në pronësi të personave të tretë, të cilët nuk kanë qenë palë e veprimit juridik. Palët paditëse nuk kanë pretendime në lidhje me pavlefshmërinë e pjesshme të kësaj kontrate shitje, por nuk janë dakord përsa i përket zgjidhjes së pasojave të krijuara nga kjo pavlefshmëri konkretisht lidhur me shumën e vendosur nga gjykatat pasi ato kërkojnë kthimin e shumës (diferencë e cila rezulton për shkak të pagesës me bankë dhe jo asaj të pasqyruar në kontratën e shitjes). KCGJL vlerëson se me të drejtë të dyja gjykatat e faktit nuk kanë marrë në konsideratë këtë pretendim pasi palët kanë përcaktuar çmimin në kontratë, duke pranuar pagesën e tij të plotë. Pagesat e tjera të kryera nga blerësit nuk janë pjesë e çmimit, pasi pronësia kalon me pagesën e çmimit të kontratës së shitjes në përputhje me nenin 705 të KC. Përcaktimi në një deklaratë noteriale i një vlere më të madhe të paguar për sendin në ndryshim nga çmimi i kontratës, jo vetëm që nuk ka aftësi të impaktojë çmimin e kontratës, por do të cenonte vlefshmërinë e kontratës. Kërkimi i pagesave të tjera që nuk janë pjesë e çmimit të përcaktuar në kontratë nuk mund te konsiderohen.
Maksima – Dëmi me pasojë humbjen e pasurisë, por edhe mosrealizimin të atyre të ardhurave që do të nxirreshin në kushtet e zakonshme të ushtrimit të të drejtave të pezulluara nga masa, shpenzimet e kryera për të eleminuar dëmtimet e tjera gjatë kohës që ekziston masa e sigurimit përbëjnë një dëm real efektiv dhe jo me një dëm ose fitim të munguar hipotetik.
Fjalë kyçe - shpërbim dëmi, masë sigurimi, dëm real efektiv.
Në çështjen konkrete pala paditëse pretendon shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga pezullimi i veprimeve të tij për rikonstruksionin e ish-qendrës së kulturës të komunës, dëm që sipas tij konsistonte në vlerën e thasëve të çimentos së humbur, vlerën e investimit të kryer deri në momentin e masës së sigurimit, interes mbi këtë vlerë, faktin se nuk ka arritur të përfundojë rikonstruksionin në kohë e për pasojë të realizojë fitimin nga ushtrimi i aktivitetit ekonomik privat në këtë ndërtesë etj. Nisur nga akti i ekspertimit i kryer në gjykatën e shkallës së parë janë përllogaritur disa vlera dëmesh sipas kërkesës së paditësit, ndërsa gjykata me vendim përfundimtar i ka njohur paditësit si vlerë dëmi atë të shpenzimeve të realizuara prej tij në rikonstruksionin e ndërtesës dhe si fitim të munguar interesat mbi këtë shumë në vlerën sipas normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë. Paditësi nuk ka bërë ankim ndaj kësaj vlere të njohur nga gjykata e shkallës së parë. Ndërkohë, gjykata e apelit e ka rrëzuar tërësisht padinë me arsyetimin se pala paditëse nuk ka vërtetuar dëmin e pësuar, pasi ai nuk ka ushtruar aktivitet ekonomik mbi objektin ndërtesë, ku i ishin pezulluar veprimet e tij rikonstruktuese, nuk i janë dëmtuar sendet, nuk ka paguar asnjë vlerë qiraje në favor të komunës. KCGJL vlerëson të gabuar qëndrimet e të dyja gjykatave, pasi nuk kanë hetuar dhe vlerësuar drejt dëmin real të pësuar nga paditësi si rezultat i masës së sigurimit. Normalisht masa e sigurimit të padisë ka pezulluar veprimet e paditësit për rikonstruksionin e qendrës kulturore e përshtatjen e saj si ambient çlodhës. KCGJL shprehet se, duke mbajtur në konsideratë natyrën e veçantë të dëmit të shkaktuar nga masa e sigurimit, të drejtat e cenuara, formën e fajësisë së realizimit të veprimit procedurial nga pala kërkuese, gjykata përcakton masën e dëmit real të pësuar.
Maksima - Kur kontrata e dorëzanisë përbën titull ekzekutiv dhe kërkesa për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit barazohet me padinë e ngritur sipas nenit 600 të KC, dorëzania nuk mund të konsiderohet e shuar për shkak se nuk është ngritur padia e veçantë nga kreditori brenda një afatit 6 mujor, por duhet të analizohet në raport me fazën e ekzekutimit të detyrimit të përmbajtur në një titull ekzekutiv.
Fjalë kyçe - dorëzania, titull ekzekutiv, kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, afat parashkrimi.
Përmbledhja e vendimit - Në këtë çështje, për shkak se debitori kryesor nuk ka shlyer detyrimet që ka ndaj kreditorit (të paditurit), mbi bazën e urdhrit të ekzekutimit të lëshuar nga gjykata mbi kërkesë të kreditorit, shoqëria përmbarimore, ka njoftuar edhe dorëzanësin me cilësinë e paditësit në këtë gjykim duke shtrirë veprimet përmbarimore dhe ndaj këtij të fundit. Gjykatat e faktit kanë pranuar padinë e paditësit për të dy kërkimet me të njëjtin arsyetim duke i trajuar ato pjesërisht si kërkime të pavaruara. KCGJL konfirmon se jemi para dy kërkimeve të ndërvarura, ku kërkimi dytësor i kundërshtimit të veprimeve përmbarimore, është i varur nga kërkimi kryesor i shuarjes së dorëzanisë, pasi në eventualitetin e pranimit të shuarjes së detyrimit që dorëzanësi ka pasur me debitorin kyesor ndaj kreditorit, titulli ekzekutiv duhet të konsiderohet i paqenë dhe për rrjedhojë çdo veprim përmbarimor i kryer mbi një titull të tillë është i pabazuar. Në zbatim dhe të vendimit njësues civil nr.106, datë 02.03.2023 në rastin konkret, KCGJL konstaton se pavarësisht se kreditori ka respektuar afatin e parë 6 mujor të parashkrimit duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit brenda 6 muajve nga momenti kur detyrimi i dorëzanësit është bërë i kërkueshëm, ai nuk ka respektuar afatin e dytë 6 mujor, pasi kërkesën për fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm e ka paraqitur 5 vjet më vonë nga momenti i lëshimit të urdhrit të ekzekutimit. Për rrjedhojë, dorëzania konsiderohet e shuar, për shkak se ka kaluar afati 6 mujor i parashkrimit i parashikuar për fazën e ekzekutimit të detyrueshëm të këtij detyrimi ndaj dorëzanësit.
Maksima – 1. Kërkimi i sekuestros konservative në shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar, nuk mund të shtrihet mbi pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme dhe tek llogaritë bankare personale të ortakut të vetëm. 2. Mosekzekutimi i detyrimit nga njëra prej palëve, legjitimon palën tjetër kontraktore të kërkojë përmbushjen e detyrimit ose zgjidhjen e kontratës së furnizimit dhe në çdo rast shpërblimin e dëmit. 3. Llogaritja e kamatëvonesave duhet të bëhet në bazë të përqindjes së normës së interesit bazë të depozitës sipas përcaktimeve të Bankës së Shqipërisë.
Fjalë kyçe - sekuestro konservative, zgjidhje e kontratës së furnizimit, shpërblim dëmi, kamatëvonesa, përqindje e normës së interesit.
Përmbledhja e vendimit - Në çështjen objekt gjykimi paditësi shoqëri tregtare e regjistruar në shtetin amerikan ka kryer furnizime mallrash te pala e paditur, shoqëri tregtare shqiptare, e cila ka bërë pagesat deri në dhjetor 2010. Paditësi ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga i padituri përmbushjen e detyrimeve të papaguara, derisa i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi. Fillimisht ka kërkuar vetëm zgjidhjen e kontratës dhe shpërblimin e dëmit, ndërsa përpara paraqitjes së padisë, paditësi ka paraqitur në gjykatë kërkesën për sigurimin e padisë, e cila si masë sigurimi mori sekuestrimin e llogarive bankare dhe të pasurive të luajtshme e të paluajtshme të palës së paditur dhe të llogarive të ortakut të vetëm të shoqërisë. KCGJL duke analizuar kufijtë e përgjegjësisë së ortakut në shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar në raport me të tretët si dhe shtrirjen e një kërkimi për sigurimin e padisë ndaj një subjekti që nuk është thirrur si palë në proces, konkludon se ajo nuk mund të shtrihet mbi pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme, si dhe të llogarive bankare personale të ortakut të vetëm. Lidhur me kërkimin kryesor për zgjidhjen e kontratës së furnizimit mes palëve dhe detyrimin e palës së paditur t’i shpërblejë dëmin e shkaktuar, KCGJL konkludon se mosekzekutimi i detyrimit nga njëra prej palëve legjitimon palën tjetër kontraktore të kërkojë përmbushjen e detyrimit ose zgjidhjen e kontratës dhe në çdo rast shpërblimin e dëmit. Lidhur me llogaritjen e kamatëvonesave në rastin konkret KCGJL konkludon se do të duhej të bëhej në bazë të përqindjes së normës së interesit bazë të depozitës sipas përcaktimeve dhe miratimeve nga Banka e Shqipërisë.
13. Vendimi nr. 00-2024-5338(648), datë 20.11.2024 i Kolegjit Civil
Maksima – Kamatat për vonesat në ekzekutim kërkohen brenda 3 viteve nga marrja formë të prerë, kur detyrimi principal është i bazuar në një vendim të formës së prerë.
Fjalë kyçe - pagim i padetyruar, parashkrim i padisë, kamatëvonesë.
Përmbledhje e vendimit - Në këtë çështje trajtohet detyrimi i palëve të paditura të paguajnë në mënyrë solidare dëmin kontraktor të shkaktuar nga mospërmbushja në kohë e detyrimeve që rrjedhin nga vendimi gjyqësor nga data kur ka marrë formë të prerë deri në datën kur është ekzekutuar. Palët e paditura kanë kundërshtuar këtë pretendim të paditësit pasi sipas tyre detyrimi i përcaktuar në vendimin gjyqësor përbënte kthimin e shumës së paguar në mënyrë të padetyruar pra në lajthitje. Vendimmarrja e gjykatave më të ulëta e ndarë në dy qëndrime të ndryshme lidhet me natyrën juridike të detyrimit të përmbajtur në vendimin gjyqësor si pasojë e të cilës kërkohet shpërblimi i dëmit në formën e pagimit të kamatëvonesave dhe afatin e parashkrimit të kësaj padie. KCGJL vlerëson se kamatëvonesat janë formë e shpërblimit të dëmit sipas rastit të detyrimit kontraktor, jashtëkontraktor ose të pagimit të padetyruar të njohur në një vendim të formës së prerë. Mospërmbushja e detyrimit kontraktor në këtë rast vjen si pasojë e faktit se pala e paditur ka përfituar nga pala paditëse një pagesë të padetyruar. Kamatat e kërkuara po ashtu kanë natyrën e një dëmi të prezumuar të ardhur nga pagimi i padetyruar duke u rregulluar posaçërisht nga neni 653 i KC. Fakti se kamatat nuk janë kërkuar nga momenti i ngritjes së padisë nuk e pengon paditësin t’i kërkojë ato për pjesën e vonesës në ekzekutim. Paditësi nuk e ka ngritur padinë brenda afatit 3 vjecar dhe me të drejtë ky kërkim është parashkruar duke rrëzuar padinë. Afati i parashkrimit për kërkimin e tyre ka lindur dhe ka përfunduar para se pala t’i drejtohej përmbarimit për ekzekutimin e detyrimit principal. Lëshimi i urdhrit të ekzekutimit nuk përbën një rrethanë që ndërpret ecjen e afatit të parashkrimit të kërkimit të kamatave
14. Vendimi nr. 00-2025-751 (106), datë 26.2.2025 i Kolegjit Civil
Maksima – Marrëdhënia juridiko-civile që synon krijimin e të drejtave dhe detyrimeve civile, efektet e të cilës do të fillojnë me përmbushjen e kushtit pezullues, kalimit të pronësisë pas regjistrimit dhe pagesës së plotë të vlerës, ka efekte të kufizuara ose asnjë efekt të menjëhershëm përveç angazhimeve paraprake të palëve, nëse kushti nuk realizohet.
Fjalë kyçe – kontratë shitblerje me kusht, kusht pezullues, pagesë e plotë e vlerës monetare, efekt ligjor.
Përmbledhja e vendimit – Në çështjen konkrete jemi para një marrëdhënie juridiko-civile e cila ka lindur si rrjedhojë e shfaqjes së vullnetit të dy palëve ndërgjyqëse që kanë synuar krijimin e të drejtave dhe detyrimeve civile, efektet e të cilës do të fillonin me përmbushjen e kushtit, lidhjen e kontratës së shitblerjes. Referuar nenit 84 të KC, kushti është pezullues kur të drejtat dhe detyrimet lindin po të ndodhë ngjarja, ndërsa efektet e veprimit juridik vijnë vetëm kur kushti të realizohet. KCGJL vlerëson se, nisur nga natyra e marrëdhënies, si një kontratë shitblerjeje me kusht pezullues, nuk është analizuar respektimi ose jo të kushtit të deklaratës noteriale. I padituri kundërpaditës ka pretenduar se kjo deklaratë ishte e lidhur me një kusht, lidhjen e kontratës së shitblerjes, i cili nuk është realizuar. Gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit nuk kanë vlerësuar në mënyrë të thelluar këtë pretendim, duke e trajtuar deklaratën si një detyrim të drejtpërdrejtë për pagesë dhe jo si një marrëveshje me kusht. Paditësi i kundërpaditur ka pretenduar se tashmë kishte bërë pagesën e tij duke përfshirë investimin në ndërtimin e objektit dhe se i padituri ka përfituar njëherë nga shitja e pronës. Aktmarrëveshja për shitjen e pronës dhe kontrata noteriale me të cilën paditësi i kundërpaditur ka shitur një pjesë të pronës, nuk janë marrë në analizë nga gjykatat më të ulëta, duke ndikuar në identifikimin dhe kuptimin e detyrimeve midis palëve.
Abonohu në buletinin informativ elektronik
Abonohu në buletinin informativ elektronik, duke plotësuar formularin në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/buletini dhe njihu me përmbajtjen e tyre në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini
Njihu me jurisprudencën në JUDIX
Abonohu në JUDIX për t`u njohur me jurisprudencën e përzgjedhur të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar të dhënat në linkun: https://judix.gjykataelarte.gov.al/
Kontakto
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: info@gjykataelarte.gov.al
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.

Gjykata e Lartë